Dita Botërore e Librit – “Libri që më ndryshoi”

 

Në kuadër të Ditës Botërore të Librit, e cila shënohet më 23 prill, studentët e universitetit kanë krijuar dhe zhvilluar një aktivitet të veçantë me temën “Libri që më ndryshoi”. Në kuadër të këtij aktiviteti, çdo student ka pasur mundësinë të përzgjedhë një libër që ka lënë ndikim të rëndësishëm në jetën e tij, qoftë nga aspekti edukativ, emocional apo motivues. Studentët kanë shkruar në tabelë emrin e librit të tyre të preferuar së bashku me autorin përkatës. Pastaj edhe e kanë shpjeguar arsyen pse ky libër ka qenë i veçantë për ta. Këto kontribute janë shkruar në një tabelë të përbashkët, duke krijuar një hapësirë kreative dhe ndërvepruese brenda universitetit. Tabela është kthyer në një koleksion idesh, rekomandimesh dhe përvojash personale nga studentët.

Aktiviteti ka synuar të nxisë dashurinë për leximin, të promovojë shkëmbimin e mendimeve dhe të forcojë kulturën e diskutimit mes studentëve. Disa prej librave që u evidentuan në tabelë nga studentët përfshinin tituj të njohur dhe frymëzues si: Alkimisti, Njeriu në kërkim të kuptimit, Mendo shpejt dhe ngadalë, Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur, Sikur të isha djalë, Hasta La Vista, Prilli i thyer, Mendo dhe Pasurohu etj. Përmes këtij aktiviteti, studentët kanë reflektuar mbi rëndësinë e librave në formimin personal dhe profesional, duke e bërë leximin një përvojë të përbashkët dhe frymëzuese. Në përgjithësi, aktiviteti është vlerësuar si shumë i suksesshëm dhe ka kontribuar në krijimin e një atmosfere pozitive dhe edukative në ambientet e universitetit.